Znj. Shukrije Gashi është një figurë e shquar në fushën e menaxhimit të konflikteve dhe promovimit të barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë. Si themeluese dhe
Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së “Partners Kosova”, znj. Gashi ka ndërtuar një karrierë të pasur dhe të larmishme si eksperte në fusha të tilla si ndërmjetësimi, drejtësia tranzicionale dhe ndërtimi i politikave gjithëpërfshirëse.
Me arsimim të plotë juridik dhe një eksperiencë të gjatë si trajnere ndërkombëtare, ajo ka luajtur një rol vendimtar në hartimin e disa prej ligjeve më të rëndësishme të Kosovës, përfshirë Ligjin për Ndërmjetësim dhe Ligjin për Barazi Gjinore.
Kontributet e saj nuk ndalen vetëm në nivel kombëtar. Në cilësinë e konsulentes ndërkombëtare, znj. Gashi ka ofruar ekspertizë për forume të ndryshme, përfshirë Institutin për Sigurinë Gjithëpërfshirëse në SHBA dhe takimet strategjike të organizuara nga BE dhe NATO.
Si një zë i fuqishëm për barazinë gjinore, ajo ka dhënë këshilla dhe rekomandime në evente të profilit të lartë si Samiti i LEDH/CVE-së në Turqi dhe panelin për Ndërgjegjësimin Gjinor të NATO-s në San Diego.
E angazhuar gjithashtu në mësimdhënie, ajo shpesh ligjëronë për audiencat vendore dhe ndërkombëtare, dhe që nga viti 2011 ajo është ligjëruese e rregullt në Programin Veror për të Drejtat e Njeriut, Ndërmjetësim, Drejtësi Tranzicionale, Gazetari, Metodat dhe Teoritë për Luftimin dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm Fetar dhe Ndërtimin e Paqes së Qëndrueshme në AUK
(Universiteti Amerikan në Kosovë).
Përveç angazhimeve të saj profesionale, znj. Gashi është gjithashtu edhe poete dhe ka të botuar përmbledhjen me poezi: “Arti i harresës” 1997. Në dorshkrim ka edhe dy përmbledhje të tjera.
Leave a Reply