Presidentja Vjosa Osmani – Sadriu ka një karrierë të shquar në fushën e drejtësisë dhe politikës.
Me Doktoratë në Drejtësi nga Universiteti i Pitsburgut në SHBA, ajo ka shërbyer si këshilltare ligjore dhe politike e Presidentit Fatmir Sejdiu, para se të zgjidhej deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011 si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ajo ka qenë pjesë e ekipit të ekspertëve juridik të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur kjo gjykatë në vitin 2010 vendosi se shpallje e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Në vitin 2019, ajo u zgjodh Kryetare e Kuvendit të Kosovës, dhe më 4 prill 2021, u bë Presidente e Kosovës. Vjosa Osmani Sadriu, paraprakisht, më 2020 themeloi partinë politike, Listën Guxo, ku në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, fituan zgjedhjet e vitit 2021 dhe janë në bashkëqeverisje.
Në zgjedhjet e shkurtit 2021, Presidentja Osmani ishte politikania më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.
Përveç angazhimeve politike, Presidentja Osmani ka luajtur rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë duke mbështetur zgjidhjet që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Presidentja Osmani e ka prioritet të angazhimit të saj fuqizimin e rolit të gruas në politikë e vendimmarrje në përgjithësi.
Me nismën dhe nën patronatin e saj në Kosovë janë mbajtur dy edicione të samitit ndërkombëtarë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Leave a Reply